Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të jetë e pranishme në ceremoninë e varrimit të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Qeveria ka shpallur 2 dhe 3 korrikun ditë zie në nderim të Ismail Kadaresë. Shkrimtari i madh dhe kolosi i letrave shqipe u shua mëngjesin e kësaj të hëne në QSUT, ku ishte dërguar me urgjencë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, homazhet dhe ceremonia do zhvillohen të mërkurën te Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit nga ora 09:00 deri 11:00 dhe nga ora 11:30 deri 12:30.
Bëhet me dije se ceremonia do të kryhet nga institucionet shtetërore, konkretisht nga Kryeministria. Aktualisht trupi i Kadaresë ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet.