Presidentja e vendit Vjosa Osmani, e ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të përfaqësuesit të Bashkimit Europian Josep Borrell dhe sekretarit të SHBA-së, Antony Blinken rreth zhvillimeve në veri të vendit.
Referuar konstatimeve të raportit të Komisionit Europian, presidentja Osmani u shpreh se në luftë me krimin e organizuar nuk ka kompromis në asnjë pjesë të shtetit të Kosovës, përfshirë siç tha ajo veriun i cili është pjesë e pandshme e vendit, njofton Klankosova.tv.
”Komisioni Europian edhe këtë vit sikur vitet paraprake konfirmon se situata në veri të vendit është sfiduese”.
”Ne të kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së që t’i qëndrojnë besnikë këtyre deklaratave, në mënyrë që sa herë institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës luftojnë krimin, korrupsionin, kontrabandën në çdo cep të vendit përfshirë veriun, ta kemi përkrahjen e këtyre zyrtarëve e jo kundërshtimin e tyre”.
”Qëndrimi im si presidente në lidhje më këtë, është tashmë i qartë: Në luftë me krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk ka kompromis në asnjë pjesë të republikës sonë. Kjo është dëshmuar tashmë nga institucionet e vendit dhe këtë qëndrim e kemi të paluhatshëm”.
”Meqë janë konstatime të BE-së presim nga ta përkrahje të plotë në drejtim të veprimeve të institucioneve tona, sa i përket sundimit të ligjit përfshirë edhe në veri si pjesë e pandashme e vendit tonë. Prandaj shpresoj që në të ardhmen zyrtarët e BE-së mos të bëjnë deklarata të njëanshme e të pabazuara sepse vetëm sa mund të rrisin tensionet dhe pengojnë përpjekjet tona në sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”.
”Mua më vjen mirë që ka pasur sot reflektim në këtë drejtim, prandaj mirëpres deklaratën e sotme të sekretarit Blinken, natyrisht kurrë nuk ka pasur ndonjë dyshim por që tashmë i është bashkuar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ku sot deklaruan se ‘’ne e mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’’ dhe shpresoj që kjo përkrahje e fuqishme e SHBA-ve, të vazhdojë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Europian”.