Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën në burgun e Dubravës, të 22 majit të vitit 1999, ku pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau në këtë burg 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politikë, si dhe i plagosi 300 të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo masakër shpërfaqi, sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Me këtë rast, Vjosa Osmani ka kërkuar drejtësi për viktimat.
“25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, ka cituar shkruar Vjosa Osmani në Facebook.
Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj të vitit 1999 dhe aty u vranë 160 të burgosur shqiptarë, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.
Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.