Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Skënderajt, Bekim Jashari, kanë vizituar sot në Drenicë, Kullën e Ilaz Kodrës.
Kjo vizitë e tyre, vie në nder të jetës dhe veprës së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, në 22 vjetorin e rënies së tij heroike, njofton Klan Kosova.
Në kuadër të kësaj vizite, para të pranishmëve Presidentja Osmani këtë ditë e quajti të dhimbjes së madhe, por po aq edhe të krenarisë.
”Sot në 22 vjetorin e rënies heroike, së bashku me kryetarin e Skënderajt Bekim Jashari, me familjarët bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, nderuam heroin e Kosovës, Ilaz Kodrën, i cili ishte ndër luftëtarët e parë të lirisë, ndër luftëtarët më të hershëm, dora e djathtë e Adem Jasharit – Komandantit Legjendar, me të cilin e dhanë këmbanën e lirisë bashkarisht dhe qysh në vitet e hershme të viteve ’90-ta organizuan rezistencën për liri për Kosovën shtet sovran e të pavarur por mbi të gjitha u bënë mburojë e popullatës civile shqiptare, e cila në atë kohë sulmohej barbarisht nga regjimi gjenocidal”.
”Pikërisht kështu ishte Ilaz Kodra, duke i mbrojtur të pambrojturit që vazhdimisht po sulmoheshin nga forcat serbe. Ai e dëshmoi edhe gjatë rënies së tij por edhe me veprën dhe shembullin që lamë pas se sa i lartë ishte çmimi i lirisë që të gjithë paguam. Jemi krenar me veprën e tij, jemi të gjithë krenarë me shembullin që e dha. Sakrifica e tij nuk do të harrohet dhe kjo kullë që e shohim këtu, është simbol jo vetëm i qëndresës së tij, por simbol i qëndresës shqiptare i sakrificës shqiptare për liri dhe pavarësinë e vendit tonë”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, e vlerësoi vizitën e presidentes Vjosa Osmani, ndërsa ngriti lartë jetën dhe veprën e heroit Ilaz Kodra por dhe të rënëve të tjerë për lirinë e vendit, njofton Klan Kosova.
”Faleminderit presidentes për vizitën. Ne bashkarisht bëmë nderime pranë bustit të heroit Ilaz Kodra. Njërit prej organizatorëve të parë, apo celulës së parë të Adem Jasharit”.
”Çkado që mundohemi të flasim për Ilaz Kodrën mund të gabohemi. Ilazi ishte një kryevepër, fjalëpak por me shumë punë. Lavdi jetës dhe veprës së tij. Lavdi të gjithë dëshmorëve”.