Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës.
“Epopeja e UÇK-së, është një testament i përjetshëm i qëndresës, i sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë”, ka shkruar presidentja në Facebook.
Sot shënohet 27-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore.
Gjatë këtyre ditëve, familja Jashari qëndroi e palëkundur duke mbrojtur shtëpinë dhe idealet e lirisë deri në frymën e fundit. Në këtë betejë të lavdishme, komandanti legjendar Adem Jashari, bashkë me familjarët e tij, u flijuan për lirinë e Kosovës, duke u bërë simbol i qëndresës dhe sakrificës sublime.
Epopeja e UÇK-së nuk përfaqëson vetëm një moment historik në luftën për çlirim, por edhe një testament të fortë të guximit dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për të jetuar i lirë. Çdo vit, kjo datë përkujtohet me nderime të veçanta, duke kujtuar heronjtë dhe dëshmorët që dhanë jetën për atdheun.