Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, në takim është trajtuar situata pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, me fokus në hapat e mëtejmë për konstituimin e Kuvendit dhe respektimin e rendit kushtetues. Nuk janë dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e diskutimeve.
Pas këtij takimi, Presidentja Osmani priti në takim edhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin po ashtu u diskutua për zhvillimet aktuale dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit institucional në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Osmani ka paralajmëruar një konferencë për media, e cila do të mbahet sot në orën 16:00, ku pritet të adresojë situatën politike dhe rrugën e mëtejshme institucionale.