Presidentja Vjosa Osmani në takim me me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.
Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.
Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes./UBTNEWS