Në ditën e tretë të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidentja Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah.
Në këtë takim, Presidentja thotë se kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin, praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, si dhe projektet e bashkëpunimit në të ardhmen.
Po ashtu, Presidentja ka zhvilluar edhe disa takime tjera të rëndësishme
“Presidentit të Senegalit, Macky Sall, ia shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e Senegalit dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta vazhduar edhe më tej bashkëpunimin. Kryesimi i Unionit Afrikan nga Senegali, vitin e ardhshëm, do të jetë edhe një mundësi më shumë për ta zgjeruar dialogun me vendet e kësaj organizate”.
“Në takimin me presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embaló, vlerësuam se ka potencial për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve dhe identifikim të mundësive për bashkëpunim ekonomik dhe fusha të tjera”.
“Me gjeneralin Wesley K. Clark, biseduam për arritjet e deritashme të Kosovës, veprimet tona për forcimin e shtetit të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë”. UBTNEWS