Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar të martën qëndrimin e saj lidhur me komentet drejtuar Gjykatës Kushtetuese në raport me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për media, Osmani tha se aktualisht Kuvendi ka kuorum dhe se moszgjedhja e një nënkryetari nga komuniteti serb, cenon në mënyrë serioze themelet e shtetit.
“Bllokimi i konstituimit të Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb, ani pse Kuvendi ka kuorum, do të cenonte seriozisht vetë themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë. Përderisa Kryesia ka kuorum dhe Kuvendi ka zgjedhur kryetarin, nuk duhet të ketë pengesa për funksionimin e tij”, u shpreh Osmani.
Ndër të tjera, presidentja komentoi edhe polemikat e fundit rreth punimit akademik të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së studimeve.
“Nuk e kam lexuar ende. Kam dëgjuar shqetësimet dhe përgjigja e dhënë prej tij është ajo që duhet marrë parasysh. Si presidente nuk kam mundësi të merrem me shkrimet që politikanët kanë bërë gjatë studimeve. Ajo që ka rëndësi sot është fakti se, si kryetar i Kuvendit, Basha ka konfirmuar respektin e madh për sakrificën e popullit dhe të UÇK-së. Ne do të bashkëpunojmë për mbrojtjen e kësaj trashëgimie nga çdo tentim për ta rishkruar historinë”, theksoi Osmani./D.B