UBT News

Presidentja e Komisionit Evropian zbulon pesë propozimet për të frenuar ngritjen e çmimeve

Ursula von der Leyen ka zbuluar një seri propozimesh për të trajtuar krizën e përkeqësuar të energjisë në BE dhe për të frenuar faturat në rritje që po i vënë familjet dhe kompanitë evropiane nën stres financiar.

Presidentja e Komisionit Evropian propozoi një plan në mbarë BE-në për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike, një kufi çmimi për të ardhurat e tepërta të bëra nga burimet e rinovueshme, një mekanizëm solidariteti për të kapur fitimet “masive” dhe “të papritura” të korrura nga kompanitë e karburanteve fosile, dhe një program ndihme shtetërore për të injektuar likuiditet shtesë në bizneset e shërbimeve komunale në vështirësi.

“Manipulimi i tregjeve të gazit ka një efekt të përhapur në tregun e energjisë elektrike”, tha von der Leyen të mërkurën pasdite.

Von der Leyen gjithashtu parashtroi një kufi çmimi për importet e gazit rus, i cili, nëse futet, mund ta shtyjë Kremlinin të hakmerret dhe të pezullojë totalisht gazin.

“Ne duhet të shkurtojmë të ardhurat e Rusisë që Putini përdor për të financuar këtë luftë mizore kundër Ukrainës”, tha ajo.

Gjatë muajve të fundit, Gazprom ka reduktuar rrjedhën e gazit nëpër tubacionet e tij, duke mbyllur Nord Stream 1 për një kohë të pacaktuar.

Si rezultat, shpjegoi von der Leyen, pjesa e gazit të tubacionit rus në importet totale të BE-së është ulur nga 40% para luftës në 9% tani.

Norvegjia, tha ajo, ka zëvendësuar Rusinë si furnizuesin kryesor të bllokut për gazin.

Masat e paraqitura nga shefja e Komisionit janë të gjitha të natyrës së jashtëzakonshme dhe reflektojnë aktin balancues ndërmjet ndërhyrjes në tregun e lirë dhe garantimit të sigurisë së furnizimeve me energji.

Propozimi i parë – kursimi i energjisë elektrike, do të vendoste një “objektiv të detyrueshëm” gjatë orëve të pikut kur roli i gazit bëhet i madh dhe faturat rriten.

BE ka vendosur tashmë një plan vullnetar për të ulur konsumin e gazit me 15% përpara pranverës së ardhshme.

Propozimi i dytë synon të kufizojë të ardhurat e tepërta të bëra nga të ashtuquajturit gjeneratorë inframargjinal, domethënë ata që nuk përdorin gaz për të prodhuar energji elektrike, si burimet e rinovueshme, bërthamore dhe qymyrin, dhe kanë kosto të prodhimit dukshëm më të ulët.

Diferenca midis çmimit përfundimtar të energjisë elektrike dhe kufirit ende të papërcaktuar të BE-së do të krijonte fonde shtesë për qeveritë, të cilat më pas do të përdoren për të mbështetur konsumatorët në nevojë.

Pesë idetë do të diskutohen më tej nga ministrat e energjisë të BE-së të premten gjatë një takimi urgjent, ku politikanët pritet t’i japin Komisionit një mandat më të qartë politik se si të vazhdojë punën.

Vendosja e një kufiri të çmimit për gazin rus pritet të jetë propozimi më përçarës, duke pasur parasysh nivelet e ndryshme të varësisë midis shteteve anëtare. Javën e kaluar, Hungaria njoftoi një kontratë të re me Gazprom për 5.8 milionë metra kub gaz shtesë në ditë.

Pasi të jetë rënë dakord, masat mund të futen në fuqi me shpejtësi sipas një procedure emergjente.

Von der Leyen dhe ekipi i saj kanë qenë në shënjestër të kritikave ditët e fundit, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrin belg Alexander De Croo që dënuan reagimin e vonë kolektiv ndaj krizës energjetike.

Ndërhyrja në treg “duhej të ishte bërë më herët, dhe është turp që u desh kaq shumë [kohë]”, tha De Croo./UBTNews/

Exit mobile version