Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg diskutuan të martën përgatitjet për samitin e ardhshëm të aleancës në Uashington më 9-11 korrik.
“Ne diskutuam përgatitjet për samitin e NATO-s në Uashington. Theksova se Ukraina parashikon vendime që do ta afrojnë anëtarësimin e saj në Aleancë”, tha Zelensky në një deklaratë në “X”, pas takimit që u zhvillua në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Zelensky tha më tej se ai dhe Stoltenberg diskutuan situatën në vijën e frontit në Ukrainë, gjatë së cilës ai informoi shefin e NATO-s për sulmet e fundit ajrore ruse në qytetet e Ukrainës dhe theksoi nevojën për të forcuar më tej mbrojtjen ajrore të vendit.
Të dy palët vunë në dukje gjithashtu rëndësinë e marrëveshjes së sigurisë të nënshkruar midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së kryeministrit Rishi Sunak në Kiev të premten e kaluar.
“Unë informova për punën e vazhdueshme të Ukrainës me partnerët për marrëveshje të ngjashme dhe theksova rëndësinë e nënshkrimit të dokumenteve të tilla, të cilat do të jenë në fuqi derisa Ukraina të bashkohet me NATO-n”, shtoi ai.
Zelensky mbërriti në Davos të hënën, ku deri më tani u takua me homologen e tij zvicerane, Viola Amherd dhe krerët e parlamentit dydhomësh të Zvicrës.
Presidenti i Ukrainës është planifikuar të mbajë një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror më vonë gjatë ditës./AA