UBT News

Presidenti Trump urdhëron reformim të trupës diplomatike

Presidenti Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv të mërkurën, duke udhëzuar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, të implementojë ndryshime të rëndësishme në Shërbimin e Jashtëm për të siguruar zbatimin e politikës “Amerika e Para” në mënyrë të besueshme dhe efektive.

Ky urdhër vjen pas zhvillimeve të fundit në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ku disa punonjës janë pezulluar ose u është dhënë leje e detyruar, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të pastruar shtetin nga burokratët që konsiderohen jobesnikë.

Në përputhje me urdhrin ekzekutiv, moszbatimi i politikave të presidentit do të çojë në masa disiplinore, përfshirë mundësinë e largimit nga puna për ata që nuk përputhen me agjendën e tij. Urdhri thekson se Sekretari i Shtetit duhet të krijojë një fuqi punëtore të jashtëzakonshme, të përkushtuar për zbatimin e politikës së jashtme të presidentit. Reforma do të përfshijë rregulla të reja për standardet e rekrutimit, vlerësimit të punës dhe mbajtjes së punonjësve në Shërbimin e Jashtëm.

Gjithashtu, Sekretari Rubio do të ketë mundësinë të rinovojë programet e Institutit të Shërbimit të Jashtëm dhe të rishikojë manualin e Punëve të Jashtme, që përfshin politikat, procedurat dhe strukturën organizative të Departamentit të Shtetit. Ky urdhër pason një veprim të ngjashëm të kryer nga Presidenti Trump më 20 janar, kur urdhëroi ngrirjen e pjesës më të madhe të ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, për të siguruar që ajo të përputhet me politikën e tij “Amerika e Para”.

Pas këtij urdhri, personeli i USAID-it u dha leje e detyruar dhe iu kërkua të mos paraqiteshin në punë në selinë e agjencisë në Uashington. Gjithashtu, tabelat me emrin e agjencisë u hoqën ose mbuluan, dhe faqja e internetit e USAID-it nuk është më funksionale. Në këtë kontekst, Sekretari Rubio është emëruar ushtrues i detyrës së administratorit të USAID-it, për të udhëhequr proceset e reformatore.

Exit mobile version