Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për të reduktuar praninë e trupave amerikane në krahun lindor të NATO-s.
Deklaratat e presidentit polak vijnë në një kohë, kur nga zyrtarë të lartë të shba janë dhënë sinjale se prania e trupave amerikane nuk do të zgjasë përgjithmonë.
“Nuk ka absolutisht asnjë qëllim amerikan për të reduktuar aktivitetin këtu në pjesën tonë të Evropës, veçanërisht në aspektin e sigurisë, për të zvogëluar numrin e trupave amerikane,” tha Duda pas një takimi në Varshavë me të dërguarin special të ish-presidentit Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg.
Presidenti polak shprehu gjithashtu shpresën që planet për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, e cila ishte planifikuar të quhej “Fort Trump” gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, mund të realizohen.
“Këtu folëm edhe për faktin se shpresoj që ‘Fort Trump’, për të cilin diskutuam gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, të bëhet realitet dhe të ketë një prani të fortë ushtarake amerikane në vendin tonë,” theksoi ai.
Aktualisht, rreth 10,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Poloni me një rotacion të vazhdueshëm.