Rafah po përballet me sulme të rënda ajrore izraelite ditët e fundit, me një numër viktimash të raportuara.
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk tha se sulmet janë të tmerrshme dhe shumë civilë mund të vriten. Më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Gaza tani janë në kufi me Egjiptin, që kishte 250 mijë banorë para se të shpërthente lufta midis Izraelit dhe Hamasit në muajin tetor.
Presidenti Biden bëri thirrje sërish për mbrojtjen e civilëve të Rafahut pas takimit të tij me Mbretin e Jordanisë, Abdullah, në Uashington të hënën. Ai tha se çdo operacion i madh ushtarak në qytet “nuk duhet të vazhdojë pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë” e atyre që jetojnë atje.
“Shumë njerëz janë zhvendosur, duke ikur si pasojë e dhunës në veri dhe tani ata janë vendosur në Rafah, të ekspozuar dhe të cenueshëm. Ata duhet të mbrohen. Ne e bëmë të qartë që nga fillimi, ne kundërshtojmë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza”, deklaroi ai.
Të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 28 mijë e 340 palestinezë janë vrarë dhe rreth 68 mijë janë plagosur./UBTNews/