UBT News

Presidenti i “Rockefeller Brothers Fund”: Mospajtimet politike në Ballkan po e pengojnë zhvillimin

Në kuadër të KPDS-së, të mërkurën është mbajtur Paneli III “Horizontet Bashkëpunuese: Dialogu për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor”.

Fjalën e hapjes, përmes video-lidhjes, e mbajti Stephen Heintz, president dhe CEO i “Rockefeller Brothers Fund”. Ai tha se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm duke shtuar se mospajtimet politike e pengojnë zhvillimin. Madje tha se në këtë pjesë mungon vullneti politik.

Sipas tij, roli i shoqërisë civile duhet të merret për bazë në të gjitha proceset e sidomos ato rajonale.

“Ky rajon duhet të bashkëpunojë që ky rajon ta arrijë potencialin e vetë të plotë. Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor nuk është asgjë e re, por rajoni duhet të ndërtojë iniciativa të reja. Procesi i Berlinit e të tjera janë vetëm disa shembuj të këtij bashkëpunimi. OJQ-të dhe qytetarët aktivë luajnë rol tepër të madh për të siguruar që zëri i qytetarëve po dëgjohet. Shoqëria civile dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën. Marrëveshja e Parisit është një shembull se si tre akterët: sektori privat, shoqëria civile, dhe qeverisja janë zotuar drejt një synimi të përbashkët. Mungesa e vullnetit politik është diçka që shoh në Ballkanin Perëndimor. E dimë që mospajtimet politike mund dhe do të pengojnë progresin, por është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të punojmë, ne, shoqëria civile duhet patjetër të jemi ambiciozë, nuk mund të ndalemi”, tha Stephen Heintz.

Exit mobile version