Meksika është shtet më i sigurt sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi të hënën presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador, disa javë pas rrëmbimit të katër amerikanëve, që ngjalli shqetësime lidhur me krizën e sigurisë së vendit.
“Meksika është më e sigurt sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë problem me udhëtimin në Meksikë. Kjo është diçka që edhe qytetarët amerikanë e dinë gjithashtu, ashtu si meksikanët tanë që jetojnë në SHBA”, tha ai gjatë konferencës së tij për media.
Amerikanët e rrëmbyer po udhëtonin në qytetin kufitar meksikan të Matamoros në fillim të muajit mars, kur u sulmuan nga persona të armatosur që besohet se lidheshin me kartelin e Gjirit. Dy nga amerikanët dhe një kalimtar meksikan vdiqën si pasojë e incidentit.
Të premten, Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas këshilloi që banorët të shmangin udhëtimin në Meksikë gjatë pushimeve të pranverës, duke përmendur rrezikun e dhunës së kartelit./UBTNews/