Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, nga sot nis vizitën zyrtare në Kosovë deri më 11 korrik.
“Vizita është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Zvicrës për të forcuar marrëdhëniet e saj bilaterale me Kosovën dhe për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatën për media.
Krahas takimeve zyrtare, Nussbaumer do të vizitojë edhe SWISSCO-n (misioni paqeruajtës i Forcave të Armatosura zvicrane) në Mitrovicë, për të mësuar rreth punës së saj dhe situatës së sigurisë në veri të vendit.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Kombëtar do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, kryekuvendarin Glauk Konjufca e drejtuesen e diplomacisë, Donika Gërvalla.
“Diskutimet do të fokusohen në bashkëpunimin teknik parlamentar ndërmjet Shërbimeve Parlamentare të Zvicrës dhe Kuvendit të Kosovës, e cila filloi në 2021 me mbështetjen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është për të ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në fushën institucionale të komunikimit dhe marrëdhëniet me publikun me qëllim rritjen e transparencës së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim për takimin me Konjufcën.
Nussbaumer do të zhvillojë takim edhe me Odën Ekonomike Zvicerane-Kosovare, e cila do të ofrojë një mundësi për të diskutuar mundësitë ekonomike për zviceranët ndërmarrës në Kosovë.
Eric Nussbaumer do të shoqërohet nga anëtarët e Këshillit Kombëtar Marc Jost dhe Cédric Wermuth.