UBT News

Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon sot ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, e cila po mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2025.

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Kosovë, presidenti Begaj u prit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, si edhe nga personalitete të tjera të jetës institucionale e akademike të vendit.

Sipas agjendës zyrtare, sot presidenti Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një nga institucionet më të rëndësishme të shkencës dhe kulturës në vend.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke u angazhuar me kapacitetet e saj të plota për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë gjithë kohës së vizitës zyrtare të presidentit Begaj. Për të garantuar mbarëvajtjen e lëvizjes sipas itinerarit dhe zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara, policia ka paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore.

Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të tregojnë mirëkuptim për kufizimet e përkohshme në trafik, të cilat po zbatohen për sigurinë e përgjithshme dhe mbarëvajtjen e vizitës zyrtare.

Exit mobile version