UBT News

Presidenca: S’marrim pjesë në asnjë dialog ku diskutohet territori i Kosovës

Nga Presidenca kanë thënë se nuk do të jenë pjesë e asnjë dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Kosovës.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, në një përgjigje për klankosova.tv ka deklaruar se kanë komunikuar me autoritetet sllovene pas raportimeve që janë duke qarkulluar se kryeministri slloven, Janez Jansha, ka dërguar një dokument jozyrtar diplomatik (“Non-paper”) në Bruksel i cili flet për një ripërcaktim të kufijve në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, të cilët e kanë mohuar ekzistencën e këtij dokumenti.

“Ne nuk mund t’i komentojmë artikujt e mediave. Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë (Fake News), ndaj ekzistenca e tij është mohuar nga autoritetet sllovene. Po ashtu, një gjë të tillë e kemi konfirmuar edhe pas bisedave që kemi pasur me Brukselin”.

“Qëndrimi i Presidentes Osmani është i njohur. Nuk pranojmë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë lloj dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Republikës së Kosovës, që prekë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të saj”, ka thënë Kupina.

Exit mobile version