Presidenca e Kosovës ende nuk e ka pranuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa procedurat për dërgimin e tij te presidentja Justina Shiroka Pula pritet të përfundojnë pas mbylljes së afatit për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, më 15 tetor.
Këtë e ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, në një përgjigje për Telegrafin.
Sipas Kupinës, Kuvendi i Kosovës ia dërgon ligjin presidentes vetëm pasi të përfundojë afati tetëditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Pas pranimit të tij, presidentja ka në dispozicion edhe tetë ditë për të ndërmarrë veprimet e parapara me procedurat përkatëse.
“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit tetëditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Shiroka Pula i ka në dispozicion tetë ditë për të ndërmarrë veprime”, ka thënë Kupina për Telegrafin.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndryshimet janë propozuar pas dënimit në shkallë të parë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë./A.K/
