Qeveritë dhe liderët e bankave kanë premtuar 10.1 miliardë euro (11 miliardë dollarë) për të ofruar mbështetje humanitare për Ukrainën. Kështu u zotuan udhëheqësit në eventin “Stand Up For Ukraine”, që u organizua nga Komisioni Evropian, Kanadaja dhe organizata ndërkombëtare e avokimit, Global Citizen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila bashkorganizoi ngjarjen në kryeqytetin polak, Varshavë, njoftoi se vetë Komisioni ka premtuar 1 miliard euro. Prej tyre, 600 milionë do të shkojnë për qeverinë ukrainase dhe Kombet e Bashkuara dhe 400 milionë euro ndihmë për vendet fqinje që i pranuan refugjatët ukrainas.
Në një video mesazh, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia, vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja, ka sulmuar kombin e tij, Ukrainën, shtetin më të guximshëm në botë. Ai bëri thirrje për sanksione të mëtutjeshme ndaj bankave ruse dhe ndalesë për naftën ruse.
Rreth 10 milionë ukrainas janë zhvendosur që nga fillimi i luftës, gjashtë milionë prej tyre brenda Ukrainës dhe katër milionë prej tyre janë larguar në vendet tjera./UBTNews/