UBT News

Premtimi i Bazelit për Eurovision: Të gjithë janë të mirëpritur

Qyteti zviceran, Bazel është kthyer në një festë të madhe këtë fundjavë, ndërsa përgatitet që nesër më 13 maj, të mirëpresë Festivalin Evropian të Këngës, Eurovisionin, ka shkruar BBC.

Kanë kaluar plot 36 vjet që kur Zvicra e ka organizuar për herë të fundit këtë ngjarje të madhe, pas fitores së këngëtares Celine Dion në vitin 1988. Dhe pritja për ta shtruar qilimin e famshëm të Eurovisionit ka qenë e gjatë.

Zvicra ishte vendi nikoqir i Eurovisionit të parë në historinë e tij, në Lugano në vitin 1956. Por që nga fitorja e Dionit, suksesi i saj ka qenë i vakët, madje në disa vite (2007-2010 dhe 2015-2018), përfaqësuesit zviceranë nuk kanë arritur as në finale. Kjo ndryshoi vitin e kaluar kur këngëtari zviceran Nemo fitoi me këngën “The Code”.

Pikërisht për këtë arsye, Bazeli është i vendosur ta bëjë këtë edicion të paharrueshëm. Qilimi i këtij viti është më i gjati në historinë e festivalit, 1.3 kilometra, duke filluar nga bashkia e qytetit, përmes lumit Rhein, deri te fshati i Eurovisionit.

Kreu i qeverisë së Bazelit, Conradin Cramer, ka thënë se qyteti i tij me vetëm 175 mijë banorë është vendi ideal për të pritur rreth gjysmë milioni vizitorë që priten gjatë festivalit.

“Bazeli është në kufi me Francën dhe Gjermaninë. Është zemra e Evropës. Ka një traditë të gjatë humaniste – kur qytetet e tjera evropiane në Mesjetë persekutonin mendimtarët e lirë, Bazeli i mirëpriste ata”. Prandaj, sipas tij, “Bazeli dhe Eurovisioni janë përputhja perfekte”, ka thënë ai për BBC.

Siguria, përfshirja dhe protestat e paralajmëruara

Pas protestave propalestineze në Eurovisionin e kaluar në Malmo, pritet që edhe në Bazel të ketë organizime të ngjashme. Policia nuk ka publikuar ende planin e saj të detajuar, por ka thënë se “të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, për sa kohë që respektojnë ligjin dhe nuk rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.” Mbi 1,300 oficerë policie do të jenë në terren gjatë gjithë ngjarjes.

Qyteti ka ndërmarrë një plan unik sigurie, ekipe në lëvizje me xhaketa rozë do të patrullojnë 24 orë në ditë për të ndihmuar viktimat e ngacmimeve apo dhunës. Do të ketë gjithashtu hapësira të sigurta dhe një linjë telefonike 24 orëshe për të raportuar incidente.

“Është një masë me prag të ulët për t’u dhënë njerëzve mundësinë të raportojnë dhunën apo ngacmimet edhe nëse nuk duan të shkojnë te policia”, ka thënë Stephanie Eymann, drejtoreshë për siguri në Bazel.

Festa për të gjithë, edhe pa bileta

Biletat për finalen u shitën brenda pak minutash, por Bazeli premton se do të ketë diçka për të gjithë, shumica falas.

“Do të ketë koncerte në çdo cep të qytetit, do të ketë projekte artistike”, ka theksuar Letizia Elia, drejtoreshë e turizmit.

Në një sipërfaqe prej vetëm 37 kilometrash katrorë, Bazeli ka 40 muze dhe galeri, dhe të gjitha janë përfshirë në festime. Fondacioni Beyeler ka hapur një ekspozitë me vepra të artistëve Andy Warhol, Mark Rothko, Kandinsky dhe Picasso, ndërsa muzeu i historisë natyrore ka hapur ekspozitën “Glitz and Glam”.

Në të gjithë Zvicrën po mbahen edhe gara për grupet më të mira shkollore, katër më të mirat do të performojnë në skenën e madhe në Bazel.

Referendumi dhe reagimi ndaj vlerave evropiane

Organizimi i Eurovisionit nuk ka qenë pa pengesa. Disa grupe evangjeliste e kundërshtuan festivalin, duke pretenduar se ai dëmton vlerat tradicionale familjare dhe përmban përmbajtje që lidhen me “satanizmin” apo “okultizmin”. Ata mblodhën nënshkrimet e nevojshme për të kërkuar një referendum për ndalimin e financimit publik për festivalin.

Por më 24 nëntor, qytetarët e Bazelit votuan me 66.6% pro, duke miratuar një buxhet prej afro 40 milionë dollarësh për organizimin.

“E prisja referendumin, kështu funksionon Zvicra, por më gëzoi shumë përkrahja e madhe. Tregon që ky është një qytet që e dëshiron vërtet këtë”, ka thënë Cramer.

Ai është i vetëdijshëm për debatet globale rreth diversitetit dhe përfshirjes, veçanërisht pas fitores së Nemo, që është person që nuk identifikohet si grua apo burrë, jobinar.

“Kushdo që je, i ri, jo dhe aq i ri, hetero, gej, grua, burrë apo jobinar, këtu je i mirëpritur. Kjo nuk është vetëm ajo për çfarë qëndron Bazeli, por ajo për çfarë duhet të qëndrojë Evropa”, ka thënë Cramer.

Rregulla për flamujt dhe kritikat nga komuniteti LGBTQ+

Megjithatë, organizata evropiane e festivalit (EBU) ka rregulla të rrepta: në skenë dhe në dhomat e garuesve lejohen vetëm flamujt kombëtarë. Flamuj si ai i krenarisë apo i jobinarëve nuk lejohen.

Vitin e kaluar, Nemo e valëviti një flamur jobinar gjatë performancës, por tha se e “kishte futur fshehurazi.” Këtë vit, organizatat LGBTQ+ janë të zhgënjyera.

“Ndalimi i simboleve tona është një shuplakë për komunitetin LGBTIQ. Është mesazhi i gabuar në një kohë kur komunitetet queer në gjithë Evropën po përballen me rritje të armiqësisë”, ka deklaruar organizata zvicerane Pink Cross.

EBU u përgjigj se “Eurovisioni nuk ka nevojë për flamuj për të dëshmuar aleancën dhe festimin e komunitetit LGBTQ+”.

Edhe transporti është gati, me karaoke!

Siç i ka hije Zvicrës, transporti është i garantuar. Trenat do të shtohen, ndërsa tramvajet në Bazel do të qarkullojnë 24 orë në ditë, përfshirë edhe një tramvaj karaoke! Pasagjerët mund të këndojnë gjatë një udhëtimi 90-minutësh falas nëpër qytet.

Exit mobile version