Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lansuar platformën “Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit”, me ç’rast të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në Republikën e Kosovës, do t’iu mundësohet të gjejnë dhe të ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës së tyre.
Në konferencë për media u tha se shërbimi i KQZ-së “Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit”, do të jetë i përhershëm.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se ky institucion është duke punuar në përgatitjen e akteve nënligjore dhe Rregulloreve Zgjedhore për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Ai shtoi se ky proces, do të përfshijë regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, emërimin e trupave zgjedhore, listën votuesve, certifikimin e subjekteve politike dhe çështje të tjera.
“Ky proces, do të përfshijë regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, emërimin e trupave zgjedhore, listën votuesve, certifikimin e subjekteve politike dh kandidatëve të tyre, qendrat e votimit, fletëvotimet, votimin, rezultatet, qendrat komunale të numërimit të votave, regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovë, fushatën e zgjedhjeve, e çështje të tjera… Përmes këtyre shërbimeve, duam që si institucion t’i shërbejmë rritjes së integritetit të procesit zgjedhor, por edhe të besueshmërisë së qytetarëve dhe akterëve të tjerë. Përgjatë këtyre viteve, KQZ-ja ka bërë përparime të mëdha në fushën e zgjedhjeve, duke ndihmuar në fuqizimin e demokracisë në vendin tonë. Angazhimi i KQZ-së në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, do të jetë i përhershëm, ashtu si edhe përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët me të drejtë vote”, tha Radoniqi.
Ndër të tjera, Radoniqi potencoi se angazhimi i KQZ-së në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, do të jetë i përhershëm.
Ndërkaq zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se edhe gjatë viteve jo zgjedhore, qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi që të njoftohen lidhur me qendrën e tyre të votimit, derisa potencoi se nëse duan mund të kërkojnë ndërrimin e saj brenda komunës.
“Që nga dita e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë shërbimin për qytetarët me të drejtë vote që votojnë në Republikën e Kosovës, përmes së cilit bëhet e mundur që ta gjejnë dhe ta ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës së tyre. Ky shërbim i KQZ-së ‘Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit’ do të jetë i përhershëm. Pra, edhe gjatë viteve jo zgjedhore, qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi që të njoftohen lidhur me qendrën e tyre të votimit dhe nëse duan mund të kërkojnë ndërrimin e saj brenda komunës. Për shumë palë zgjedhje, pa fajin tonë, shumë prej votuesve mund të kenë qenë të caktuar në Qendra të Votimit të cilat kanë qenë larg adresës së tyre të vendbanimit. Prandaj, përmes ofrimit të shërbimit ‘Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit’ KQZ-ja ua mundëson qytetarëve me të drejtë vote që ta mësojnë qendrën e tyre të votimit, por edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar vetën që të votojnë sa më afër adresës së vendbanimit të tyre”, theksoi Elezi.
Elezi potencoi se platforma “Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit” është vendosur në ueb faqen e KQZ-së: kqz-ks.org ose në eomp.kqz-ks.org.
Ndërkaq përveç platformës ‘online’, ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet edhe në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, varësisht se nga cila komunë është votuesi.