Është arrestuar një person për vjedhje në Kaçanik. 28-vjeçari në prezencë të avokatit ka pranuar se ka kryer 11 vjedhje nëpër lokale e shtëpi të ndryshme.
Pas arrestimit, 28 vjeçarit i janë konfiskuar shumë pajisje e gjësende të ndryshme të cilat i kishte fshehur i dyshuari.
“Një punë e suksesshme operative e hetueseve të Stacionit Policor të Kaçanikut, ka rezultuar me zbardhjen e një sërë rastesh të vjedhjeve të ndryshme në qytet dhe rrethinën e Kaçanikut gjatë muajit Dhjetor 2020 dhe muajit Janar 2021. Lidhur me këto raste, hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, J.B. (m/Kosovar /28 vj.) i cili gjatë procesit të hetimeve e në prezencë të avokatit ka pranuar gjithsejt 11 vepra të kryera nga ai në shtëpia dhe lokale të ndryshme . Pas arrestimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit të kryer në disa lokacione ku i dyshuari kishte qëndruar kohëve të fundit , policia ka gjetur dhe konfiskuar shumë pajisje, vegla pune dhe gjësende tjera si veshje të ndryshme, këpucë dhe gjëra ushqimore, të cilat i dyshuari kishte fshehur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Po ashtu të dyshuarit i janë gjetur e konfiskuar shufra metalike e kaçavida, të cilat janë përdorur për depërtim në shtëpi e lokalet ku ka kryer vjedhjet.
“Gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe mjete si shufra metalike dhe kaçavida ,mjete të cilat janë përdorur për depërtim në shtëpitë dhe lokalet e ndryshme ku janë kryer vjedhjet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari lirohet dhe lënda shkon në procedurë të rregullt.