Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informoi se sot Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.
Sipas MPJD-së, ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë.
Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.
“Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave. Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike. Sigurisht, se mbetet shumë punë për t’u bërë deri në anëtarësim. Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht në respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës dhe Republika e Kosovës”, u bë e ditur nga ministria.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.