UBT News

Prangosja e kameramanit, suspendohen dy policë dhe ndaj pesë të tjerëve iniciohet procedurë e brendshme disiplinore

Dy zyrtarë policorë janë suspenduar dhe ndaj pesë zyrtarëve të tjerë është iniciuar procedurë e brendshme disiplinore për arrestimin e kameramanit të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Albion Selitaj, teksa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërrmarrjes “AgroKosova Holding”.

Siç njofton policia, suspendimi i tyre është mbështetur në udhëzimin administrativ të PK-së për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës.

“Me datë 03.02.2022, Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria Rajonale e Prizrenit ka suspenduar përkohësisht dy zyrtarë policorë dhe ndaj pesë zyrtarëve të tjerë ka iniciuar  procedurë të brendshme disiplinore, të cilët kanë qenë të inkuadruar në realizimin e planit policor në asistencë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP-së) në komunën e Suharekës, me ç’rast kanë arrestuar një person për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Suspendimi i tyre është mbështetur në udhëzimin administrativ të PK-së për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me qëllim të hetimit dhe sqarimit të veprimeve dhe sjelljeve të tyre në këtë rast. Lidhur me këtë rast është njoftuar Drejtoria e Standardeve Profesionale e PK-se dhe Inspektorati Policor (IPK). Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime”, njofton PK.

Exit mobile version