UBT News

Policia sekuestron armë e drogë, disa persona arrestohen

Policia e Kosovës ka realizuar një sërë operacionesh në qytete të ndryshme të vendit, ku janë sekuestruar armë zjarri, narkotikë dhe municion, ndërsa disa persona janë arrestuar e të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Podujevë, gjatë një kontrolli në shtëpinë e një të dyshuari, policia gjeti dhe konfiskoi një armë zjarri. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

Po në Podujevë, në kuadër të hetimeve për një rast të vrasjes në tentativë, janë bastisur shtëpitë e dy personave të dyshuar. Gjatë bastisjes u sekuestruan tri pistoleta, tri armë të gjata, 67 fishekë dhe pjesë të ndryshme armësh, ndërsa të dyshuarit ndodhen ende në kërkim policor.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan, gjatë një kontrolli është gjetur një substancë e dyshuar narkotike. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë në vazhdim.

Në Gjilan, një person u arrestua pasi gjatë kontrollit iu gjetën 1.35 gram marihuanë dhe 0.54 gram kokainë. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në Kaçanik, pas hetimeve për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe armëve, policia arrestoi dy persona, një shtetas të Kosovës dhe një shtetas të huaj. Njëri prej tyre u dërgua në mbajtje, ndërsa tjetri u lirua në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në fshatin Gjonaj të Prizrenit, policia ndërhyri pas raportimeve për të shtëna me armë në një aheng familjar. Nga të dyshuarit u sekuestruan një pistoletë me gaz, 21 gëzhoja të armës me gaz, shtatë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një armë automatike AK-47 me 20 fishekë, e gjetur në një veturë. Të dy të dyshuarit u arrestuan dhe, me vendim të prokurorit, u dërguan në mbajtje.

Një tjetër aksion u zhvillua në fshatin Temeqin të Malishevës, ku gjatë kontrollit në shtëpitë e dy të dyshuarve u konfiskuan një pushkë automatike AK-47 me karikator dhe 10 fishekë, një pistoletë TT me karikator, si dhe një pjesë e një pushke automatike. Pas intervistimit, të dy u liruan në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë duke vazhduar në koordinim me prokuroritë kompetente.

D.L

Exit mobile version