UBT News

“(PA) PARASHIKUESHMËRIA E NJË KONFLIKTI”

(Përdorimi i sistemeve balistike, raketave hipersonike, mundësisë së përdorimit të armëve nukleare, intensiteti i përplasjes Israel – Iran, i mbështetur nga ShBA, prag i një përshkallëzimi, konflikti rajonal me efekt global)

Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi

Luftërat botërore rrallëherë kanë filluar si projekte të drejtpërdrejta për një përplasje globale. Të nisura nga kriza dypalëshe më pas janë shndërruar në rajonale, e që më pas janë përshkallëzuar gradualisht, duke tërhequr në konflikt edhe akterë gjithnjë e më të mëdhenj.

Sot, përplasja midis Izraelit- ShBA -së dhe Iranit po shpërfaq shumë nga dimensionet e një krize kritike luftarake me efekte thuajse apokaliptike sesa neutralizimin e një objektivi të vetëm, që mund të tejkalojë kufijtë e Lindjes së Mesme.

Për dekada me radhë rivaliteti midis dy shteteve, Iranit dhe Izraelit është zhvilluar në mënyrë  johumane, indirekte, hibride dhe në kundërshtim të hapur: përmes operacioneve të fshehta, eliminimit, sabotimit, sulmeve kibernetike dhe përplasjeve përmes akterëve të ndërmjetëm përgjatë historikut të tyre kundërshtues, deri në përballjen luftarake ajrore 12-ditore vitin e kaluar. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë shumë më komplekse me operacione dramatike në një epokë të transformimit të rëndësishëm strategjik.

Së fundmi, e nisur nga lufta e fshehtë  e survejimit përmes spiunazhit nga brenda, në një konfrontim të hapur, inkursion të befasishëm ushtarak, me eliminimin e liderëve kryesorë në pak sekonda, që në orët e para të sulmit mbi Iranin, përdorimi i kapaciteteve të avancuara të sistemeve të dronëve dhe raketave – armëve shkatërruese midis dy vendeve, përbënë luftën më shkatërrimtare që nga paslufta e dytë botërore.

Një dimension i ri dhe shumë i rrezikshëm i këtij konflikti është përdorimi dhe demonstrimi i teknologjive të avancuara balistike, veçanërisht raketave me shpejtësi hipersonike. Irani ka investuar për dekada në zhvillimin e një arsenali; Droni kamikaz  bombardues dhe sisteme autonome raketore që përfshin raketa balistike me rreze të mesme dhe të gjatë, të afta të godasin objektiva në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme me një perimetër – rreze veprimi dhe më të gjerë. Midis tyre përmenden sisteme të avancuara si Shahab, Sejjil dhe Khorramshahr, të cilat janë projektuar të transportojë koka luftarake me eksplozivë konvencionalë ose potencialisht biologjikë, kimikë apo bërthamorë në distanca mbi 1,500 dhe mbi 2,000 kilometra. Ky program raketor iranian është i bazuar kryesisht në modele të Koresë së Veriut dhe Rusisë, me ndihmë të verifikuar nga Kina.

Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), Irani zotëron disa raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë Izraelin, dhe cilin do shtet të vendeve arabe dhe më tej; përfshirë: Sejil – 2.000 km, Emad – 1.700 km, Ghadr – 2.000 km, Shahab-3 – 1.300 km, Khorramshahr – 2.000 km, Hoveyzeh – 1.350 km.

Irani në konflikt ka lansuar një brez të ri sistemesh të armëve, si; raketat hipersonike, të cilat lëvizin me shpejtësi mbi (Mach 5) pesë herë më të shpejt se zëri dhe kanë aftësi manovrimi në fazën e fluturimit mbi 6,000 km/h. Një nga sistemet më të përmendura është raketa hipersonike Fattah, e cila sipas deklarimeve iraniane është projektuar për të depërtuar sistemet komplekse moderne të mbrojtjes ajrore.

Rreziku strategjik i armëve hipersonike lidhet me faktin se ato janë shumë më të vështira për t’u interceptuar nga sistemet tradicionale të mbrojtjes raketore. Ato fluturojnë në trajektore më të ulëta se raketat balistike dhe mund të ndryshojnë trajektore – drejtim gjatë fluturimit aerodinamik, duke reduktuar kohën e reagimit të sistemeve mbrojtëse.

Nga ana tjetër, Izraeli ka ndërtuar një nga arkitekturat më të avancuara të mbrojtjes raketore në botë. Sistemet si Iron Dome, David’s Sling dhe Arrow, që janë projektuar për të interceptuar, paralizuar dhe shkatërruar në ajër një gamë të gjerë kërcënimesh, nga raketat me rreze të shkurtër deri tek raketat balistike me rreze të gjatë. Megjithatë, edhe këto sisteme përballen me sfida serioze përballë një sulmi masiv të koordinuar me raketa balistike, dronë dhe potencialisht armë hipersonike.

Në këtë kontekst, dimensioni raketor i konfliktit e rritë ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit, drejt një nuklearizimi shumë shkatërrues mbi rajonin. Një sulm i suksesshëm ndaj infrastrukturave kritike – si bazat ushtarake, portet, rafineritë e naftës apo qendrat urbane, rrugët strategjike të transportit detar, prodhon një reagim të menjëhershëm dhe shumë më të ashpër të palëve në konflikt me efekt gjeoekonomik rajonal dhe global.

Për më tepër, përdorimi i këtyre armëve nuk ka vetëm efekt ushtarak, por edhe efekt psikologjik dhe strategjik. Demonstrimi i kapaciteteve hipersonike është një mesazh për kundërshtarët dhe për sistemin ndërkombëtar se balanca teknologjike e fuqisë në rajon, tashmë po ndryshon.

Rreziku i vërtetë, megjithatë, qëndron në efektin domino të konfliktit. Përplasja e thellë dhe e pakrahasim Iran–Izrael, gjithnjë e më shumë po përshkallëzohet, frontet reale të luftës konfrontuese mund të shtrihen në të gjitha shtetet fqinje; nga Libani dhe Siria deri në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq. Në këtë skenar, sulmet me raketa balistike po godasin bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, duke e detyruar drejtpërdrejt Uashingtonin të rrisë fuqinë bombarduese të neutralizimit masiv kundër Iranit. Kjo përfshirje e tillë ushtarake shkatërrimtare shpërfaq implikime të mëdha gjeopolitike në rajon, duke përfshirë edhe Turqinë dhe secilin vend përgjatë këtij perimetri kufijsh rajonal.

Fuqi të tjera globale si Rusia dhe Kina dhe aktor përreth tyre e shohin Lindjen e Mesme si një zonë strategjike në rivalitetin global me Perëndimin. Nëse konflikti rajonal ndërthuret me rivalitetet mes fuqive të mëdha, atëherë rreziku i një përplasjeje shumë më të gjerë bëhet real dhe për pasojë kemi një shtrirje gjithnjë e më globale të luftës.

Në fund, përplasja ushtarake e Izraelit, ShBA -ve kundër Iranit nuk mund të mbetet një konflikt i izoluar në mes dy rivalësh historikë, që ia kërkojnë zhdukjen njëri tjetrit.

Kjo ndërhyrje ushtarake e demonstrimit të fuqisë është një test i çmendur i destabilitetit të sistemit ndërkombëtar në epokën e armëve nukleare, të sistemeve raketore – kokave bërthamore si një luftë shkatërrimtare.

Derisa diplomacia dështon dhe logjika e përshkallëzimit mbizotëron, Lindja e Mesme mund të shndërrohet në një arenë ku teknologjitë më të reja të luftës – nga raketat hipersonike deri tek dronët autonomë – testohen në një konflikt që mund të ndryshojë ekuilibrat global të mbisundimit me përfshirje edhe më të gjerë shtetesh në luftë.

E kaluara ka treguar se luftërat më të mëdha shpesh fillojnë pikërisht nga kriza të pamemduara ideologjishë, qëllime ekonomike dhe territore të reja, që në fillim duken si të kufizuara dhe të kontrolluara, por në epokën sistemeve të raketave hipersonike dhe balistike, dhe të një bote të stërngarkuar me armë kolektive vdekjeprurëse, sidomos të kapaciteteve të kokave bërthamore, kjo krizë kritike si e tillë nëse nuk evitohet urgjentisht, mund të zgjerohet shumë më shpejt se në çdo periudhë tjetër përgjatë historisë moderne dhe përshkallëzimi real mund të jenë shtrirja drejt një lufte me përmasa botërore.

Shënim:

Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi

(Autori është doktor shkence, staf i rregullt akademik, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave Kombëtare të Sigurisë dhe Inteligjencës)

 

Exit mobile version