UBT News

Pozitë e opozitë: Mungojnë punëtorët e kualifikuar, të shkolluarit s’i përmbushin nevojat e tregut

Deputetët kanë bërë shqyrtimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani tha se ka vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në shkolla profesionale.

“Një numër i madh i profileve nuk janë shikuar që nga viti 2013. Mungesa e një analize dhe relevance të drejtimeve profesionale. Vështirësitë e zhvillimit të mësimit praktik në shkolla dhe vazhdimësi në realizmin e praktikës profesionale në biznes”, është shprehur ai.

Kurse kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se akoma në Kosovë ka një stigmatizim të shkollave profesionale e mungesë të hapësirave nga bizneset për punë praktike të nxënësve.

Sipas Golës në Kosovë ka mospërputhje të shkollimit me nevojat e tregut me rreth 53 për qind.

“Kemi të bëjmë me një destabilizim radikal të strukturës së punësimit. E para është shpejtësia e ritmit të ndryshimit dhe punët që kërkojnë gjithmonë e më shumë standarde më të larta. Në Kosovë kemi rreth 53 për qind mospërputhje të shkollimit me nevoja të tregut”.

“Kemi disavazhtazim të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale. Stigmatizim të shkollave profesionale. Ka hapësirë pak për punë praktike dhe numër të kufizuar të kompanive që mund të rekrutojnë studentë për zhvillimin e aftësive të tyre”, është shprehur ai.

Eliza Hoxha nga PDK-ja ka thënë se është shpresëdhënëse që pas tranzicionit në Kosovë vëmendje e veçantë u kushtohet nevojave të arsimit.

Gjithashtu Hoxha ka kërkuar më shumë buxhet dhe stimulim për nxënësit e shkollave profesionale.

“Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm ndërtimi i sistemit arsimor gjithëpërfshirës. Të zgjerohet bashkëpunimi ndërinstitucional të orientohen nxënësit në drejtimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Më shumë buxhet e fokus për stimulimin e nxënësve për shkollim në shkolla profesionale” është shprehur ajo.

Ajo i ka dhënë kritikë Qeverisë që nuk e ka trajtuar arsimin mjaftueshëm në programin e saj, raporton EO.

“Dy faqe program të kësaj Qeverie dhe pa vizion të Qeverisë Kurti”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj tha se në Kosovë ka shkallë të lartë të papunësisë dhe në anën tjetër ka punëkërkues me diploma.

“Shkalla e lartë e papunësisë dhe numër i lartë i punëkërkuesve të diplomuar është treguesi më i mirë i gjendjes së arsimit në Kosovë dhe raportit së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”, ka thënë ajo.

Exit mobile version