Konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar i propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Zëvëndëskryesuesi i komisionit, Armend Muja ka kërkuar që hetimi të shtrihet në tri shtylla kryesore, nga procesi i privatizimit të KEDS-sit, investimet, punësimet në KEK gjatë periudhës 2006-2022, si dhe hetimin e kontratave për blerjen e energjisë dhe shitjen ndërmjet KEK-ut dhe palëve të tjera në këtë periudhë.
“Në bazë të vendimit të Kuvendit, ne i kemi në kuadër të fushëveprimit tri shtylla kryesore. E para është në rrjetin e distribuimit, dhe ne tentojmë të përgjigjemi në këto pyetje: Sa ishin investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet se nga u bënë ato investime. Vlera e investimeve të parapara në kontratën e privatizimit ishte 300 milionë euro. A janë realizuar, kur dhe nga kush? E dyta është pagesa e mbi 17 milionë euro nga KEK-u për KEDS-in në emër të korrigjimit të tarifave të vitit paraprak në vitin e parë pas privatizimit të distribucionit. E treta, janë veprimet e ZRRE-së dhe njësisë mbikëqyrëse të privatizimit të KEDS-it për investimet kapitale, investimet kapitale në ndërmarrjen publike KEK 2006-2022. Në fushën e dytë të veprimit ndalemi edhe tek prodhimi i energjisë elektrike. Edhe qëllimi ynë është të gjejmë përgjigjen në këto pyetje: Shqyrtimi i vendimmarrjes që solli deri tek bllokimi i investimeve në njësitë e ‘Kosova A’ apo në projektin e famshëm të “Bilfingerit”. Po ashtu edhe për vendimet qeveritare për shpalljen e zonë me interes të veçantë për hapësirat e mihjes sipërfaqësore në komunën e Obiliqit. Si dhe vlerësimi i procesit të shpronësimit të pronave rreth mihjes në Hade, Shipitullë, përfshirë rritjen e vlerave të shpronësimit nga 4 milionë në 28 milionë euro”, theksoi ai.
Deputeti Armend Zemaj i ka reaguar kolegut të tij opozitar, Armend Muja, duke thënë se kërkesat e shumta të VV-së çojnë në dështim të punës së këtij komisioni hetimor.
“Kjo që u sqarua, është komplekse në vetë natyrën edhe hetimore, por edhe në afatin kohor dhe si detyrim parlamentar. Nëse këto nuk reduktohen në specifika të veçanta ose në kërkesa të veçanta tona, mendoj që gjithë kjo punë do të shkojë në dështim për shkak që ka një volum të madh edhe të afatit kohor. Propozimi im është që t’i reduktojmë në poentat kryesore dhe që kanë qenë shqetësim për qytetarët e Kosovës, në kuptimin e keqpërdorimit të parasë publike, nga procesi i privatizimit, mbulimi i shpenzimeve për pjesën veriore të Kosovës, shpronësimet dhe deri te kjo e fundit për blerjen e energjisë, që Kuvendi akoma nuk ka marrë përgjigje konkrete”, theksoi Zemaj.
Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja, ka kërkuar që të caktohen fushat hetimore, pa u zgjeruar në të gjithë sektorët e energjisë.
“Propozimi im është që të caktojmë fushën të cilat do t’i hetojmë pasi që nëse zgjerohemi në shumë fusha do të kemi problem të kemi një konstatim konkret. Megjithatë ne çdo veprim që do ta marrim të ketë unitet, sepse pavarësisht opozitës dhe pozitës, të gjithë e kemi qëllimin e njëjtë. Pretendimet e mundshme nga propozuesit, t’i zbardhim duke respektuar rregulloren dhe ligjin për hetim parlamentar”, theksoi ai.
Në këtë mbledhje deputetët janë dakorduar për shtyrjen e votimit të Planit të veprimit deri në një mbledhje tjetër që pritet të mbahet të hënën.
Në përbërje të këtij Komisioni janë: kryesues deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja, si dhe anëtari tjetër nga kjo parti Rashit Qalaj, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), anëtarë të këtij Komisioni janë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi(zëvëndës kryesues i Komisionit) Armend Muja. Ndërsa, nga LDK anëtarë janë Armend Zemaj dhe deputetja Rezarta Krasniqi.
Nga AAK-ja anëtarë është deputetja Time Kadrijaj. Prej Listes Serbe (LS) për anëtarë është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtar është Duda Balje.
Një ditë më herët, u themelua Komisioni për hetimin e menaxhimit të krizës energjetike, që ishte kërkesë e opozitës.