Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri kanë zhvilluar një takim me Kryeministrin Albin Kurti, me ftesë të këtij të fundit.
“Kam marrë pjesë në këtë takim për t’i prezantuar qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me dialogun. Si LDK as nuk i ikim takimeve e as nuk i shmangemi temave të mëdha për vendin. Prandaj, pasi kemi dëgjuar pozicionin e Qeverisë, kam prezantuar pozicionin politik të LDK-së, në formë të shkruar; dhe i kam kërkuar Kryeministrit që ai dhe Qeveria e tij të prezantojë një pozicion të tillë para qytetarëve tanë dhe ndërmjetësuesve jashtë. Janë të lirë ta marrin këtë tonin nëse ju duhet”.
“Përderisa i përmbahen parimeve kryesore të prezantuara në këtë dokument, pra nuk negociojnë për territor, nuk devijojnë nga rendi kushtetues e nuk prishin karakterin unitar të Kosovës, secila marrëveshje që përfundon në njohje të ndërsjellë, njohje nga vendet e BE-së e anëtarësim në NATO, është e pranueshme për ne. Si Kryeministër, ai ka për detyrë dhe obligim të bartë këtë proces, jo ta shmangë ate”.
“Po ashtu, i kam kërkuar Kryeministrit që raportimet rreth dialogut t’i bëjë në Kuvendin e Kosovës; aty ku janë të zgjedhurit e qytetarëve tanë”/ UBTNEWS.