Portugalia është duke përjetuar një krizë të rëndë nga zjarret e shumta që kanë përfshirë të gjithë vendin. Më shumë se 5.000 zjarrfikës janë angazhuar në përpjekjet për të shuar flakët, ndërkohë që temperaturat e larta, që kanë kaluar 30 gradë Celsius gjatë fundjavës, pritet të vazhdojnë për ditë të tëra.
Kryeministri Louis Montenegro deklaroi se zjarrfikësit janë shpërndarë në të gjithë territorin e Portugalisë, në përpjekje për të kontrolluar situatën e rënduar. Sipas mediave lokale, dy persona kanë humbur jetën deri tani si pasojë e zjarreve, ndërsa spitalet në zonat e prekura po trajtojnë pacientë me djegie dhe probleme të tjera shëndetësore.
Situata është përkeqësuar më tej me mbylljen e autostradave, përfshirë rrugën kryesore që lidh Lisbonën me Porton. Autoritetet portugeze kanë paralajmëruar se rreziku i shpërthimit të zjarreve në shumë rajone qendrore dhe veriore të vendit do të mbetet i lartë deri të premten.
Dhjetë mijë hektarë tokë janë djegur tashmë midis Portos dhe Aveiros në veri, sipas raportimeve të agjencisë portugeze të lajmeve, Lusa. Po ashtu, të paktën 12 zjarrfikës janë lënduar, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Në ndihmë të Portugalisë, Bashkimi Evropian ka vendosur të dërgojë tetë avionë zjarrfikës për të mbështetur përpjekjet e shuarjes së flakëve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se blloku “po mobilizohet urgjentisht” dhe i kërkoi shteteve anëtare të dërgojnë ndihma të tjera për të përballuar këtë krizë të rëndë./UBTNews/