UBT News

Porsche prezanton drejtuesin e ardhshëm të kompanisë

Bordi Mbikëqyrës i Porsche AG ka emëruar Michael Leiters si Drejtor Ekzekutiv të kompanisë, me detyrën që do ta marrë zyrtarisht më 1 janar 2026.

Leiters do të pasojë Oliver Blume, i cili ka udhëhequr Porsche për 10 vjet dhe do të vazhdojë karrierën e tij si Drejtor Ekzekutiv i Grupit Volkswagen.

Sipas Wolfgang Porsche, kryetarit të Bordit Mbikëqyrës, Blume udhëhoqi kompaninë me sukses në periudha të vështira, duke arritur rezultate rekord financiare, hyrje në tregje të reja dhe suksese të rëndësishme në sportet motorike.

Blume deklaroi se pas një dekade në krye të Porsche, ka vendosur të përqendrohet plotësisht te Volkswagen.

Ndërkohë, Michael Leiters vjen nga pozicioni i Drejtorit Ekzekutiv të McLaren Automotive, ku punoi që nga viti 2022.

Më parë, ai ka qenë Drejtor i Teknologjisë në Ferrari për mbi tetë vjet dhe ka punuar për më shumë se 13 vjet në Porsche, ku ishte përgjegjës për modelet Macan dhe Cayenne. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version