Një populist i ekstremit të djathtë, pak i njohur, ka marrë drejtimin në zgjedhjet presidenciale rumune, duke tronditur klasën politike të vendit.
Kandidati i pavarur, Kalin Georgesku, po udhëheq sondazhet me rreth 22% të votave. Analistët thonë se, edhe pse pa një agjendë të qartë, mbështetja për të ishte një protestë kundër establishmentit.
I dyti në sondazhe është kryeministri Marcel Çiolaku i Partisë Social-Demokrate, me kuotën 20%. Ai pritej të ishte fituesi i raundit të parë.
Çiolaku deklaroi para votimit se një prej qëllimeve të tij ishte të bindte rumunët se ia vlente që të qëndronin në Rumani.
Elena Laskoni, nga Unioni Shpëtoni Rumaninë, u rendit e treta me 18% të votave. Kur hodhi votën në kuti, ajo foli për diasporën e përhapur të rumunëve në Evropë dhe tha se prioriteti i saj do të ishte funksionimi i mirë i institucioneve vendase.
George Simion, kryetar i Aleancës për Unitetin e Rumunëve, një parti e ekstremit të djathtë, mori 14.1% të votave. Sondazhet parashikojnë se do të jetë ai që do të shkojë në balotazhin e dhjetorit.
Simion loboi për unifikimin me Moldavinë, vend që i ndaloi sërish atij hyrjen.
Të paktën 13 kandidatë garuan për presidencën në një vend që është pjesë e Bashkimit Evropian dhe anëtar i NATO-s.
Presidenti në Rumani ka një mandat 5-vjeçar dhe ka kompetenca vendimmarrëse në fusha si siguria kombëtare dhe politika e jashtme.
Raundi i dytë do të mbahet më 8 dhjetor, një javë pas zgjedhjeve parlamentare.