Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut.
Arrestimi i Popoviqit vjen pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur “organizatë terroriste” dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato në Rripin e Gazës. Fjalimi u mbajt në një ceremoni përkujtimore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ndaj Popoviqit është iniciuar procedurë për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, ndërsa gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, Petar Petkoviq, reagoi duke e cilësuar arrestimin si “të padrejtë” dhe pretendoi se Popoviq “vetëm tha të vërtetën”./BetimipërDrejtësi