UBT News

Polonia shqyrton rivendosjen e kontrolleve kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë për shkak të migracionit

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha se po shqyrtojnë të rifillojnë kontrollet në kufijtë e vendit të tij me Gjermaninë dhe Lituaninë për shkak të shqetësimeve lidhur me migracionin e paligjshëm, transmeton Anadolu.

Sipas mediave polake, Tusk në një konferencë për media tha se do të zhvillojnë takim me përfaqësues të institucioneve që lidhen me sigurinë e vendit dhe do të vlerësojnë situatën në të gjitha kufijtë e Polonisë.

Ai theksoi se siguria kufitare është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij. “Ne e kemi informuar palën gjermane se mund të jemi të detyruar të rifillojmë kontrollet në kufirin polako-gjerman, nëse rastet e dyshimta (të lidhura me migracionin e paligjshëm) vazhdojnë“, shtoi Tusk.

Kryeministri polak vuri në dukje se vendimet që do të merren do të zbatohen në mënyrë që do të krijojë shqetësime minimale për qytetarët polakë dhe se do të merren masa për të parandaluar kalimet e paligjshme në Poloni edhe përmes Lituanisë.

Gjermania e krijoi vetë problemin e migracionit dhe duhet ta trajtojë vetë

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda në një konferencë për media i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime për të parandaluar kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin e tyre nga Gjermania.

Duda shprehu trishtimin që qeveria nuk iu përgjigj Gjermanisë që shtyu emigrantët drejt Polonisë. “Nuk mund të lejojmë që ligjet të shkelen, migrantët të shtyhen me forcë drejt vendit tonë. Gjermania e krijoi vetë problemin e migrantëve dhe duhet ta trajtojë vetë. Ne nuk do ta zgjidhim këtë problem për ta”, tha Duda.

Nga ana tjetër, grupe prej qindra njerëzish që e quajnë veten “patrulla qytetare” po organizojnë protesta në rajonet kufitare të Polonisë me Gjermaninë kundër migrantëve të kthyer nga Gjermania.

Një grup prej rreth 200 personash mbylli një rrugë për trafikun në qytetin Szczecin në veriperëndim të Polonisë të shtunën. Pjesëmarrësit thanë se u mblodhën “në mënyrë që policia gjermane të mos sjellë migrantë”.

Exit mobile version