Qeveria polake, e udhëhequr nga Kryeministri Donald Tusk, po përshpejton iniciativat për të forcuar mbrojtjen e kufijve lindorë të vendit me Rusinë dhe Bjellorusinë. Në një deklaratë të bërë të hënën, Tusk njoftoi se ndërtimi i projektit të quajtur “Mburoja e Lindjes” do të fillojë në fund të këtij viti, një vit më herët nga sa ishte parashikuar.
Ky projekt ambicioz përfshin ndërtimin e fortifikimeve ushtarake dhe masave të tjera mbrojtëse, si barrierat fizike, sisteme moderne për monitorimin e hapësirës ajrore, si dhe pajisje dhe sisteme elektronike të avancuara. Shtimi i këtyre masave vjen në një kontekst të tensioneve në rajon, duke u përballur me kërcënime potenciale nga Rusia.
Stërvitjet e para për testimin e elementeve të “Mburojës Lindore” janë zhvilluar në terrenin ushtarak në Orzysz, në Poloninë verilindore. Fortifikimet do të shtrihen në një gjatësi prej rreth 800 kilometrash, aty ku do të jetë e nevojshme, dhe ndërtimi i tyre pritet të zgjasë rreth katër vjet.
Stërvitjet përfshinin skenarë si kalimi i kufirit polak nga forca armike, përpjekje për të kaluar barrierat antitank dhe vendosjen e kontaktit me zjarrin. Tusk ishte prezent gjatë stërvitjeve, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e mbrojtjes, Wladysław Kosiniak-Kamysz, duke demonstruar angazhimin e qeverisë për të siguruar mbrojtjen e vendit.
Polonia nuk është e vetme në këto përpjekje; disa nga anëtarët e tjerë të NATO-s, përfshirë Shtetet Baltike (Lituani, Estoni dhe Letoni), kanë nisur gjithashtu ndërtimin e “Linës së Mbrojtjes Baltike”. Tusk theksoi se ky është një projekt i përbashkët, që do të diskutohet dhe përkrahë në Bruksel përmes bashkëfinancimit nga vendet anëtare.
Në postimin e tij në platformën X, Tusk theksoi: “Kjo është e drejta jonë dhe detyra jonë të mbrojmë kufirin polak dhe evropian. Siguria e tij nuk do të jetë subjekt i negociatave.” Ai përmendi gjithashtu se Britania dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në bashkëpunimin për këtë projekt.
Kryeministri përfundoi duke theksuar se do të ketë fonde evropiane për të mbështetur këtë nismë, duke premtuar se do të diskutojë për këtë në Bruksel në ditët dhe javët në vijim./UBTNews/