Polonia filloi të martën ndërtimin e një gardhi përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë për të bllokuar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm.
Gardhi do të jetë pesë metra e gjysmë i lartë, 186 kilometra dhe do të kushtojë 350 milionë euro për t’u ndërtuar, ka njoftuar agjencia e Gardës Kufitare Polake.
Polonia dhe Bjellorusia ndajnë një kufi prej 418 km.
Një zëdhënëse e rojes kufitare, Krystyna Jakimik-Jarosz, nuk pranoi të specifikojë vendndodhjen e kantiereve të ndërtimit, duke argumentuar se “shërbimet bjelloruse janë duke pritur për këtë për të dërguar grupe emigrantësh atje, kështu që për arsye sigurie ne nuk tregojmë saktë vendndodhjet”.
Gardhi i ri do të pajiset me kamera dhe detektorë lëvizjeje, ndër të tjera, për të ndihmuar rojet kufitare të parandalojnë kontrabandën, tha Jakimik-Jarosz.
Ndërtimi pritet të përfundojë në qershor.
Projekti ka ngritur shqetësime në mesin e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe mjedisit. Të parët kanë frikë se emigrantët që ikin nga situatat e konfliktit nuk do të jenë në gjendje të aplikojnë për azil dhe të dytët kanë frikë nga efektet negative në jetën e egër të zonës pyjore në kufi.
Varshava dhe Minsku janë kritikuar ashpër për trajtimin e tyre ndaj emigrantëve dhe janë akuzuar për shtyrje të paligjshme, duke lënë grupe të mëdha migrantësh të mbërthyer në kufi në kushte të rrezikshme, me pak akses në ushqim ose pajisje për të shmangur temperaturat e ulëta.
Shumë emigrantë kanë vdekur në kufi, si pasojë e temperaturave të ulëta./UBTNews/