UBT News

Polonia, Lituania dhe Ukraina duan sanksione më të forta kundër Rusisë

Polonia dhe Lituania i janë bashkuar Ukrainës në thirrjen për sanksione më të forta nga Perëndimi kundër Moskës, pas ngritjes së supozuar të trupave ruse pranë kufirit ukrainas që ka nxitur frikën e një pushtimi.

Presidenti polak Andrzej Duda dhe presidenti lituanez Gitanas Nauseda u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në takimin e parë trepalësh presidencial të aleancës së sigurisë “Trekëndëshi i Lublinit” në Huta në malet Karpate të Ukrainës perëndimore.

Duda dhe Nauseda shfaqën mbështetjen e tyre përballë asaj që ata e përshkruan si “një agresion të vazhdueshëm kundër Ukrainës”.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Rusia ka grumbulluar 70,000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe po përgatitet për një pushtim të mundshëm në fillim të vitit të ardhshëm, akuza këto që Moska zyrtare i ka mohuar.

Nauseda tha se grumbullimi është një kërcënim për të gjithë rajonin dhe përpjekjet e Rusisë për të rikrijuar zona të ndikimit nuk do të tolerohen.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit, të tre liderët u bënë thirrje liderëve të tjerë ndërkombëtarë që të shtojnë sanksionet kundër Rusisë.

“Detyra jonë e përbashkët është të pengojmë kërcënimin e paraqitur nga Rusia dhe të mbrojmë Evropën nga politikat agresive të Rusisë”, tha Zelenskyy. “Ukraina, Polonia dhe Lituania janë pararoja e kësaj parandalimi sot”.

Udhëheqësi ukrainas bëri thirrje për “veprime të fuqishme parandaluese, sanksione të fuqishme serioze për të përjashtuar çdo mendim për përshkallëzim”./UBTNews/

Exit mobile version