Rregullatori polak UOKiK njoftoi sot se vendosi një gjobë prej 106.6 milionë zloty 25 milionë euro për filialin evropian të kompanisë amerikane të pagesave online PayPal për shkak të klauzolave të paqarta kontraktuale që mund t’i kushtojnë konsumatorëve një llogari të bllokuar.
Kompania nuk u ka përshkruar qartë përdoruesve aktivitetet e ndaluara që mund të rezultojnë me gjoba, as nuk u ka treguar saktësisht se çfarë mund të bëjë në raste të tilla, thuhet në shpjegimin e gjobës nga rregullatori.
“Klauzolat e PayPal janë të përgjithshme, të paqarta dhe të pakuptueshme. Duke i lexuar ato, konsumatori nuk mund të parashikojë se cilat nga veprimet e tij mund të konsiderohen të ndaluara ose çfarë sanksionesh mund të vendosë kompania”, tha kreu i UOKiK, Tomasz Chrostny.
“Kjo do të thotë që PayPal mund të vendosë në mënyrë arbitrare pa asnjë kufizim nëse përdoruesi ka bërë diçka të ndaluar dhe çfarë lloj dënimi do të marrë për shkak të saj, që mund të jetë, për shembull, bllokimi i parave në llogari”, shpjegoi ai.
Vendimi nuk është përfundimtar dhe PayPal mund të ankohet në gjykatë, njoftoi UOKiK.