UBT News

Polonia e shqetësuar nga planet gjermane për forcimin e kontrolleve kufitare

Ambasada e Polonisë në Berlin ka ngritur shqetësime në lidhje me planet e qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga konservatorët në Gjermani për të shtrënguar kontrollet kufitare duke paralajmëruar se masa të tilla mund të dëmtojnë trafikun ndërkufitar dhe funksionimin e tregut të brendshëm të BE-së.

Ky ka qenë problem edhe më parë”, tha ambasadori polak në detyrë në Berlin, Jan Tombinski për ”Politico”, në komentet e publikuara sot.

Tombinski iu referua masave ekzistuese të futura nga koalicioni gjerman në largim që kanë shkaktuar bllokime trafiku me orë të tëra nga Polonia në Gjermani.

Ai tha se ”Polonia nuk dëshiron të shohë ndonjë shtrëngim të mëtejshëm të kontrolleve kufitare”.

Tombinski, i cili ende nuk është emëruar zyrtarisht si ambasador, por tashmë po vepron si i tillë, theksoi angazhimin e Polonisë për të mbrojtur kufirin e jashtëm të BE-së, veçanërisht me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur lëvizjen e lirë brenda zonës evropiane të Schengenit.

I pyetur nëse Polonia do të pranonte kthimet e emigrantëve nën qeverinë e re gjermane, Tombinski tha se Varshava do t’i përmbahej detyrimeve të saj sipas ligjit të BE-së, duke përfshirë ato të përcaktuara në Sistemin e ri të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS)./ATSH/

Exit mobile version