Polonia duhet të paguajë gjoba ditore prej 1 milion eurosh për reformat e saj në drejtësi, kështu ka vendosur Gjykata Evropiane e Drejtësisë, transmeton UBT News.
Masat ndëshkuese do të jenë në fuqi derisa Varshava të pajtohet me një vendim të Gjykatës së BE-së të lëshuar në korrik që urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të dhomës disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe anulimin e vendimeve që ajo kishte marrë për heqjen e imunitetit gjyqësor.
Aksioni ligjor kundër Polonisë u ngrit nga Komisioni Evropian, i cili e konsideron dhomën e diskutueshme si një kërcënim për pavarësinë gjyqësore të vendit që i bën gjyqtarët subjekt të kontrollit politik.
Ndërsa qeveria polake këmbëngul se është një mjet për të eliminuar mbetjet e regjimit komunist, shkruan Euronews, përcjell UBT News.
Pasi u injoruan thirrjet e përsëritura ndaj Polonisë për të respektuar vendimin e korrikut, Brukseli i kërkoi Luksemburgut të vendoste gjoba ditore, hapi i fundit i një procedure shkeljeje.
Polonia është deri tani përfituesi më i madh i fondeve të BE-së, pasi ka marrë më shumë se 18 miliardë euro në vitin 2020.
Në vendimin e së mërkurës, GJED vërejti se Polonia nuk ka bërë ndryshimet e nevojshme për t’i hequr kompetencat dhomës disiplinore.
Këto sanksione po vijnë në një moment jashtëzakonisht të vështirë në marrëdhëniet midis Varshavës dhe Brukselit./UBTNews/