Nga 19 shtatori, shumica e qytetarëve rusë nuk do të mund të hyjnë në territoret e Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
Shtetasit rusë me vizë Shengen, të cilët duan të lëvizin për qëllime turizmi, biznesi, sporti ose arsye kulturore nuk do të mund të hyjnë në territoret e këtyre vendeve.
Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – vendet baltike, Polonia dhe Finlanda – kanë bërë thirrje të parat për masa kufizuese në vizat turistike për rusët.
Nga e njëjta ditë edhe Zvicra tha se do të pezullojë procedurat e thjeshtuara të vizave për rusët.
Polonia dhe shtetet baltike thanë se ndalimi nuk përfshinë disidentët politikë, rastet humanitare dhe një sërë rrethanash të tjera, duke përfshirë misionet diplomatike ruse dhe lidhjet familjare.
Më 31 gusht, BE pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap i parë i domosdoshëm”.
Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.
Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.
Gjermania dhe Franca, kanë qenë në anën tjetër të debatit, duke thënë se kufizimi i vizave për rusët, do të rezultojë si masë joproduktive, teksa BE-ja tenton të luftojë për “zemrat dhe mendjet” e atyre rusëve që nuk përkrahin luftën në Ukrainë.
Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë.
Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga vendi i tyre që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit, ndoshta për t’iu shmangur kufizimeve zyrtare ose për t’i shpëtuar sanksioneve financiare, të hapësirës ajrore, tregtare dhe sanksioneve të tjera ndërkombëtare të vendosura nga Perëndimi./REL