Kryetari i Lëvizjes Qytetare në Serbi “Odgovor”, Boban Bogdanoviç, ka nisur një fushatë për krimet e kryera të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë. Këtë nismë Bogdanoviç e ka bërë të ditur në platformën “X”, të enjten.
Ai tha se zyrtarisht ka paraqitur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Për këtë ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështes në këtë drejtim, po ashtu edhe popullin e Kosovës.
Bogdanoviç, më parë kishte reaguar edhe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç si dhe së fundi për rastin “Banjska”.
Për mbështetjen ndaj Kosovës, ai thotë se vitin e kalur është intervistur edhe nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA). Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë shqiptarë. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona.