Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dje ranë dakord që të fillojnë stërvitjen ushtarake në tokën e BE-së për 15 mijë ushtarë ukrainas dhe të rimbursojnë shtetet anëtare për blerjen e armëve për Ukrainën në shumën prej 500 milionë euro, raporton Politico.
Gjatë debatit filluan të dalin më shumë detaje rreth rolit të shteteve anëtare. Për momentin, Polonia dhe Gjermania kanë rolet më të qarta (të dyja do të presin selinë), dhe Sllovakia gjithashtu ka konfirmuar interesimin e saj, megjithëse mbetet për t’u parë nëse kjo do të thotë të mbajë trajnime në tokën e saj apo thjesht të marrë pjesë në trajnime në vende të tjera, thanë dy diplomatë për Politico.
Ministri francez i Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu i tha Le Parisien gjatë fundjavës se presidenti Emmanuel Macron kishte rënë dakord tashmë për një plan trajnimi që do t’i lejonte Francës të pranonte deri në 2.000 trupa ukrainase.
Vendet baltike shprehën gjithashtu vullnetin e tyre për të kontribuar. Kroacia u përmend gjithashtu si një mikpritëse e mundshme, zbuluan dy diplomatë të tjerë, sipas Politico.
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë tha për mediat kroate se “në kuadër të trajnimeve ekzistuese, ne jemi të gatshëm të presim kursantë të huaj dhe gjithçka është në përputhje me planet dhe procedurat ligjore.”