Më shumë se 9 mijë punonjës të Parlamentit Evropian janë viktima të rrjedhjes së të dhënave nga ky institucion.
Këtu përfshihen informacionet për kartat e identitetit, ekstraktet nga regjistrat e lindjes, diploma, historia e punësimit, të dhënat mjekësore, informacioni i sigurimit, si dhe dëshmitë e përvojës së punës në dhjetë vitet e fundit.
Siç u bë e ditur asokohe, nga një aplikacion online punësimi i quajtur “People” dolën të dhëna për rreth 9 mijë punonjës.
Pothuajse një muaj më vonë, asistentët në Parlamentin Evropian, të mërzitur për shkeljen e të dhënave personale, kërkojnë përgjigje, shkruan Politico.
Në një email të dërguar të enjten nga Komiteti i Asistentëve Parlamentar të Akredituar (APA), i cili përfaqëson rreth 2 mijë asistentë brenda institucionit, tha se i kishte kërkuar kryetares së parlamentit Roberta Metsola dhe nëpunësve të lartë civilë për më shumë informacion mbi hapat që kishin marrë për të mbrojtur të dhënat për rreziqet personale dhe të sigurisë të shkaktuara nga rrjedhjet e të dhënave.
Politico ka folur me tre punonjës të Parlamentit të BE-së, viktima të rrjedhjeve të informacionit, të tronditur nga mungesa e komunikimit me autoritetet, por edhe nga mosveprimi i institucionit.
“Njerëzit janë jashtëzakonisht të mërzitur, ndërsa nga ana tjetër kishte vetëm dy email nga “menaxheri i përgjithshëm” pa emër, asnjë udhëzim, asnjë falje, asnjë tregues të çfarëdo lloji”, tha Stefan de Koning, asistent parlamentar i deputetes holandeze liberale, Sophia Helena.
Parlamenti u dërgoi një letër mijëra viktimave të mërkurën duke detajuar se cilat të dhëna personale u zbuluan. Në katër email-at e parë nga Politico, thuhet se janë cenuar të dhënat për kartat e identitetit apo pasaportat, dosjet penale, certifikatat e arsimit dhe gjendjen civile të individëve.
“Ekspertët e parlamentit të sigurisë kibernetike, si dhe policia e Luksemburgut, vazhdojnë të kryejnë analiza të thella për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me shkeljen”, thuhet në letër.