Policia e Kosovës ka arrestuar dje Muharrem Qerimin dhe Bedri Shabanin si dy të dyshuar për bashkëpunim me BIA-n serbe.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë bastistur shtëpitë e dy të arrestuarve.
Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
“Ferizaj – Viti 2023. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Speciale, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale spiunazhi me datë 05.06.2024 kanë realizuar operacion një policor për kontrollin e dy lokacioneve në qytetin e Ferizajit. Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera”. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Ndryshe dje, pas një operacion hetimor disamuajsh ka rezultuar me arrestimin e dy agjentëve të dyshuar të shërbimit sekret serb në Ferizaj. Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe zyrtarët e saj, të cilët kanë qenë truri i operacionit, kanë arritur pastaj me prova ta bindin Prokurorinë dhe Policinë që të ndërmarrë masa. Por kush janë dy të arrestuarit që dyshohen se punuan për llogari të shërbimit sekret serb, BIA?
Sipas burimeve, bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.
Bedri Shabani ka punuar si doganier gjatë viteve të 90-ta, pra gjatë periudhës së Millosheviqit, kurse Muharrem Qerimi ka punuar si zyrtar i Policisë së Kosovës, deri pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Bashkëpunëtori i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.
Të ndaluarit, sipas burimit, janë përcjellë me vite nga institucionet e sigurisë.
Po ashtu, ky burim bën të ditur se të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të shërbimit sekret serb me emrin Srdjan Rosiq.
Kush është Srdjan Rosiq?
Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.
Në transkriptin e njërës prej seancave gjyqësore të datës 22 shtator 2005, një dëshmitar i cili ishte polic i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme), pyetet nëse e njeh Srdjan Rosiqin. Ai përgjigjet se Srdjan Rosiq në atë kohë ( sq. vitet e ’80-ta dhe ’90-ta) ishte punonjës operativ në Shërbimin shtetëror të sigurisë për rajonin e Ferizaj.
Por, çka kanë bërë ose çfarë kanë tentuar të bëjnë tutje Bedri Shabani e Muharrem Qerimi?
Informacionet tona të mbledhura nga organet e sigurisë së Kosovës thonë se qëllimi ka qenë kontaminimi dhe kriminalizimi i UÇK’së, përmes stisjes së provave ose fabrikimit të dëshmitarëve të ndryshëm.
Bedri Shabani, sipas këtyre informacioneve, ka provuar ta shtrembërojë të vërtetën për Masakrën e Reçakut.
Siç dihet, Serbia provon tash e sa vite që ta shtyjë narracionin e saj se kinse Masakra e Reçakut ka qenë e sajuar nga UÇK dhe bashkësia ndërkombëtare, se njerëzit e vrarë aty nuk janë vrarë nga policia dhe ushtria serbe por nga UÇK.
Me këtë narracion, ata tentojnë pastaj ta delegjitimojnë vet ndërhyrjen e NATO’s në Kosovë. Sipas informative tona, për t’i ndihmuar Serbisë në këtë narracion ka provuar edhe vet Bedri Shabani.
Sigurisht, kjo i mbetet prokurorisë dhe gjykatave që ta provojnë. Meqë aktualisht, Shabani është thjesht i dyshuar.
Po ashtu, ka informacione se Bedri Shabani ka provuar ta shpikë edhe një “Shtëpi të Verdhë” si ajo në veriun e Shqipërisë, por kësaj radhe në Kosovë.
Informatat e mbledhura në rrugë operative, janë se ai ka provuar që shtëpi të verdhë ta shndërrojë ish-spitalin e UÇK ‘së në fshatin Mollopolc, afër Reçakut.
Si Shabani, ashtu edhe Qerimi, ka dëshmi se kontaktet me eprorin e tyre të BIA’s i kanë mbajtur edhe fizikisht, por edhe përmes kontakteve tjera.
Ende nuk dihet kur saktësisht ata ranë në gjurmë nga AKI, por dyshohet se kohën e fundi ata kishin provuar ta inskenojnë një incident etnik në Kosovë: diçka që në Kosovë janë parë shpesh. Sipas gjitha gjasave, këtu ata janë zbuluar. Sido që të jetë, kjo tash është punë për prokurorinë.