Policia suedeze ka qëlluar dhe plagosur një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në qendër të Stokholmit.
Ngjarja ka ndodhur të martën në mbrëmje, pasi policia pranoi një njoftim për një person që po shkaktonte shqetësim dhe dyshohej se ishte i armatosur.
Policët që kanë mbërritur në vendngjarje kanë hapur zjarr ndaj burrit, i cili është goditur nga plumbat dhe është dërguar në spital. Sipas policisë së Stokholmit, plagët e tij janë serioze, por nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Sipas raportimeve të mediave suedeze, burri ishte afruar te rojet e Pallatit Mbretëror i armatosur me thikë dhe u kishte kërkuar që ta qëllonin.
Policia më vonë ka njoftuar se ka nisur hetim për “kërcënime të rënda ndaj një zyrtari publik” dhe për një vepër të rëndë që lidhet me përdorimin e thikës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka pasur rrezik për publikun, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje për motivin e ngjarjes apo identitetin e personit./A.K/
