Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek janë gjetur të hënën gjatë ekzaminimit të vendit ku ndodhi përplasja e armatosur në ‘Aktash’ të Prishtinës.
Policia ka thënë sot se armët dhe karikatori janë gjetur gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë.
“Lidhur me rastin, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek”, tha Policia.
PK-ja njoftoi se rasti që ndodhi të dielën mbrëma është duke u hetuar. Një person vdiq dhe pesë persona të tjerë u plagosën nga breshëri plumbash me kallashnikov dhe armë automatike, të cilat u shkrepën në rrugën ‘Gazmend Zajmi’.
Në përleshje ishin të përfshira familjet Sekiraqa dhe Gashi, të njohur në kryeqytet si ‘Capat’. I vrari Premtim Gashi është varrosur të hënën në Prishtinë.
Ndërkaq pesë të plagosurit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare. Ata janë jashtë rrezikut për jetë.