UBT News

Policia sekuestron rreth 26 kilogramë marihuanë, arrestohen tre persona në veri të vendit

Policia e Kosovës ka sekuestruar afër 26 kilogramë substancë narkotike të dyshuar si marihuanë dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në trafikim.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar në kuadër të planit të koduar “kontrolli”, pas identifikimit të dy automjeteve të dyshuara në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, të cilat dyshohej se po transportonin substanca narkotike. Automjetet kanë qenë me targa serbe.

Njëra nga veturat është ndaluar dhe kontrolluar në Zveçan, ku janë zbuluar hapësira të modifikuara për fshehjen e narkotikëve. Gjatë kontrollit janë gjetur rreth 25.984 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Ndërkohë, vetura tjetër është ndaluar në Jarinjë dhe dyshohet se ka shërbyer si përcjellëse për sigurimin e rrugës.

Sipas Policisë së Kosovës, tre të dyshuar janë arrestuar në lidhje me rastin, mes tyre një shtetas i Serbisë dhe dy shtetas të Malit të Zi.

Autoritetet kanë bërë të ditur se të gjitha veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.

Exit mobile version